Dikush po shpërndan informacionin ose mediat e mia private pa pëlqimin tim
Ngacmuesit ndonjëherë mund të publikojnë informacione që ju identifikojnë personalisht ose që ekspozojnë aspekte të jetës suaj personale që keni zgjedhur t'i mbani private. Kjo nganjëherë quhet "doxxing", ose "doxing" (një term i shkurtër për "lëshimin e dokumenteve").
Qëllimi i doxxing-ut është të turpërojë personin e shënjesturar ose të agjitojë kundër tyre. Kjo mund të ketë efekte të rënda negative në mirëqenien tuaj psiko-sociale, sigurinë personale, marrëdhëniet dhe punën.
Doxxing-u përdoret për të frikësuar figurat publike, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aktivistët, por gjithashtu shpesh synon njerëzit që u përkasin pakicave seksuale ose popullatave të margjinalizuara. Ai është i lidhur ngushtë me forma të tjera të dhunës në internet dhe dhunës gjinore.
Personi që ju bën doxxing mund t'i ketë marrë dokumentet tuaja nga burime të ndryshme. Kjo mund të përfshijë hakimin e llogarive dhe pajisjeve tuaja private. Por, është gjithashtu e mundur që ata po ekspozojnë dhe nxjerrin jashtë kontekstit informacione ose materiale që keni menduar se po i ndani privatisht me miqtë, partnerët, të njohurit ose bashkëpunëtorët tuaj. Në disa raste ngacmuesit mund të grumbullojnë informacione të disponueshme publikisht për ju nga mediat sociale ose të dhënat publike. Kombinimi i këtij informacioni në mënyra të reja, të keqinterpretuara në mënyrë të dëmshme, mund të përbëjë gjithashtu doxxing.
Nëse keni qenë cak i doxxing-ut, ju mund të përdorni pyetësorin e mëposhtëm për të identifikuar se ku e ka gjetur ngacmuesi informacionin tuaj dhe për të gjetur mënyra për të kufizuar dëmin, duke përfshirë heqjen e dokumenteve nga faqet e internetit.